Varllam Shallamov
TREGIMET E KOLLIMËS
Kushtuar Gencit
NËPËR DËBORË
Si hapet rruga nëpër një djerrinë të mbuluar me dëborë? Përpara të gjithëve ecën një njeri, duke djersitur dhe duke sharë, duke hedhur me vështirësi herë njërën këmbë, herë tjetrën, duke ngecur herë pas here në dëborën e shkrifët dhe të thellë. Ky njeri shkon larg, duke e shënuar rrugën e tij me ca gropa të zeza jo të njëtrajtshme. Ai lodhet, shtrihet mbi dëborë, ndez një cigare dhe tymi i mahorkës nderet si një re e kaltërt mbi dëborën e bardhë e të ndritshme. Ky njeri shkon më larg, por reja rri akoma pezull atje ku ai pati pushuar, ajri është pothuaj se i palëvizshëm. Rruga hapet gjithnjë në ditë të qeta, në mënyrë që era të mos i mbulojë gjurmët e lëna nga njeriu me aq mundim. Njeriu vetë i cakton orientuesit në pafundësinë e dëborës - një shkemb, një dru të lartë. Njeriu e drejton trupin e tij nëpër dëborë, ashtu sikundër drejton timonieri varkën nëpër lumë nga njëri kep në tjetrin.
Nëpër gjurmët jo të njëtrajtshme, nga të cilat është hapur një shteg i ngushtë, fillojnë të lëvizin pesë-gjashtë vetë të tjerë, duke ecur fare pranë njëri-tjetrit. Ata shkelin afër gjurmës, por kurrë në gjurmë. Pasi arrijnë deri në vendin e caktuar që më parë, ata kthehen prapa dhe nisin të ecin përsëri në mënyrë të tillë që të shkelin nëpër djerrinën me dëborë atë vend, ku akoma nuk ka shkelur këmba e njeriut. Rruga u hap. Nëpër të mund të ecin njerëz, slita të ngarkuara, traktorë. Po të kishin ecur në rrugën e të parit dhe të kishin shkelur në gjurmët e tij, do të ishte formuar një shteg i ngushtë, që mezi do të mund të kalohej, një tegel dhe jo rrugë, ca gropa, nëpër të cilat kalohet më me vështirësi se nëpër djerrinë. I pari e ka më të vështirë nga të gjithë, prandaj kur ai lodhet dhe s'ka më fuqi, në vend të tij po nga ajo pesëshe e ballit del përpara një tjetër. Secili nga ata që ecin nëpër dëborë sipas gjurmëve të të parit, edhe sikur të jetë më i vogli, më i dobëti, duhet të ecë nëpër një copë djerrinë të pashkelur, dhe jo të shkelë mbi gjurmën e të parit. Ndërsa me traktorë dhe kuaj nuk ecin shkrimtarët, por lexuesit.
Varllam Shallamov
"Tregimet e Kollimës" Përktheu Çezar Kurti.Copyright©1990 by Translator.